Prioritetet



Ministria e Shëndetësisë mbështet realizimin e qëllimeve të përcaktuara në Strategjinë Sektoriale Shëndetësore të Kosovës, sipas planit strategjik 2010 -2014:

Përmes Strategjisë, do të arrihen këto objektiva strategjike prioritare:

Zvogëlimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë

Me këtë Objektivë synohet ulja e shkallës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë përmes ngritjes së kualitetit të shërbimeve shëndetësore në vend sipas standardeve bashkëkohore për të gjithë qytetarët.

Përmirësimi i menaxhimit të resurseve ekzistuese dhe cilësisë së shërbimeve

Ekziston një nevojë për përmirësimin e menaxhimit të institucioneve shëndetësore dhe të koordinimit në mes tyre. Sektori i shëndetësisë përbëhet nga shumë institucione të veçanta të cilat, në mënyrë që të sigurojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore efektive, duhet të funksionojnë si një sistem i integruar. Një kusht fundamental është një qartësi më e madhe e roleve dhe përgjegjësive të institucioneve që do të ndihmonte në eliminimin e konfuzionit, ngritjen e llogaridhënies dhe përmirësojnë eficiencën.

Funksionalizimi, riorganizimi dhe plotësimi i infrastrukturës ekzistuese të sistemit shëndetësor dhe sigurimi i pajisjeve mjekësore në përputhje me standardet Evropiane

Riorganizimi i shërbimeve shëndetësore kërkon një plan të shpërndarjes të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

Implementimi dhe zhvillimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISh).

Intervenimi në SISh-in do të jetë i orientuar në një sistem që mbledh, analizon, ruan dhe shpërndan informatat me kohë në një formë të standardizuar, sistem ky i dobishëm për vendimmarrje në kujdesin shëndetësor dhe për organizimin e kujdesit shëndetësor në të gjithë nivelet: KPSh, KDSh, KTSh dhe nivelin Qendror (Ministria e Shëndetësisë (MSh).

Krijimi i sistemit të qëndrueshëm të financimit për sektorin e shëndetësisë

Të krijohet një mekanizëm fillestar për mbledhjen e të hyrave të dedikuara për shëndetësinë, duke synuar zhvillimin e një sistemi të financimit të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm për mbulimin e Listës së shërbimeve themelore të kujdesit shëndetësor, të ofruar në bashkëpunim në mes sektorit publik dhe privat
Të gjitha këto janë prioritete të cilat janë propozuar gjatë procesit të konsultimeve dhe ne i kemi konsideruar bazike dhe të domosdoshme për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm i cili do të ofroj shërbime shëndetësore cilësore të nivelit të lartë dhe të njohur ndërkombetarisht.

Periudha e ardhshme 5 vjeçare, 2010 – 2014, do të jetë një vazhdimësi e avancuar e arritjes së vizionit duke ndikuar në zvogëlimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë përmes përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe rrugëtimin e sistemit shëndetësor të Kosovës drejt standardeve bashkëkohore.