Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike



inst

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

Është formuar më 5 qershor të vitit 1925;

Është Institucioni më i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës;

Është Institucion Shëndetësor që përgatit dhe zbaton strategjinë e shëndetit publik (Masat higjieniko – sanitare, masat profilaktiko – kunderepidemike, socialo mjekësore, promovimin e shëndetit, edukimin dhe arsimimin shëndetësor, kontrollën e kulitetit të ujit, ajrit, ushqimit, PZI (programi i zgjëruar i imunizimit), politikën shëndetësore dhe ekonomiken shëndetësore, informimin shëndetësorë) në mbarë territorin e Kosovës.

Instituti zhvillon punën hulumtuese-shkencore dhe organizon përkryerjen profesionale të punëtorëve shëndetësor.
Është bazë arsimore e Fakultetit të Mjekësisë;
Ka 5 Departamente:
Image

1. Epidemiologjia
2. Ekologjia Humane
3. Mjekësia Sociale
4. Mikrobiologjia dhe
5. Sistemi i Informimit Shëndetësor;
6. Shkolla Kosovare e Shëndetësisë Publike

Historiku i zhvillimit

Vitet e ‘20ta të shekullit të kaluar karakterizohen me gjendje të rëndë shëndetësore si në Botë ashtu edhe në Ballkan. Duke pasur për bazë situatën e shëndetësisë kosovare në përgjithësi dhe shëndetësinë publike në veçanti merret qëndrimi që të themelohet shërbimi higjieniko-epidemiologjik edhe në Pejë me ndihmën e fondit “Rockfeler” nga SHBA. Me 5 qershor të vitit 1925 filloi punën ky shërbim. Me këtë datë janë vënë bazat e Mjekësisë Preventive në Kosovë andaj edhe shënohet si ditë festive e themelimit të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës sot.

Pas kësaj date, në Kosovë formohen qoftë si stacione sanitare, mikrobiologjike apo higjieno-epidemiologjike, shërbimet në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë. Në këto njësi nuk kishte kuadro të specializuara (pos në Prizren), por shërbimet shëndetësore kryheshin nga punëtorët shëndetësor me shkollë të ultë shëndetësore. Në fakt nuk kishte asnjë kuadër shëndetësor shqiptar edhe pse popullata ishte shumicë.

Gjatë viteve 1923/1924, në Prizrenin e lashtë ishte themeluar shërbimi bakteriologjik tejet efikas, që ofronte shërbime për tërë territorin e Kosovës së atëhershme (një pjesë të Sanxhakut dhe Malit të Zi). Por, ishte vetëm shërbim bakteriologjik i cili më vonë zhvillohet në shërbim higjieniko–sanitar për t’u shndërruar sot në Institut Rajonal të Shëndetësisë Publike të Prizrenit (Dedushaj I).

Prej vitit 1946/1947 ka filluar punën mjeku i parë shqiptar Dr.Durmish Celina. Në atë kohë ishte organizuar shkolla e ultë medicinale, ku lëndët profesionale i mbante dr.Daut Mustafa. Dr.Durmish Celina ka udhëhequr me shkollën e ultë për mami në shtëpinë e Ali Dulës në Prizren ku janë zhvilluar aktivitetet edukativo-shëndetësore.
(shih të dhënat në biografi të Dr.Celinës).

Gjendja shëndetësore në Kosovë

“Trashëgimia” e shumë sëmundjeve ngjitëse e kishte dëmtuar rëndë Kosovën në aspektin ekonomik dhe kulturoro-arsimor, por asgjë më pak në atë shëndetësor dhe social. Në prag të Luftës së Dytë Botërore e sidomos pas saj, gjendja dhe rrethanat shëndetësore në Kosovë ishin jashtëzakonisht të vështira.

Sëmundjet ngjitëse me përhapje masive që gjatë historisë kanë zhdukur kombe, në Kosovë gjatë kësaj kohe paraqiteshin në forma endemike e shpeshherë merrnin karakter të epidemive masive dhe lokale. Këto sëmundje kanë shkatërruar dhe vrarë pa mëshirë me qindra e mijëra foshnje dhe fëmijë të Kosovës. Prej tyre prijshin: malaria, tifoja e morrit, tifoja e zorrëve, dizenteria bacilare, sëmundjet tjera ngjitëse të zorrëve, tuberkulozi, fruthi, meningjitit, difteria, kolla e bardhë dhe sëmundjet e tjera të fëmijëve. Gjatë kësaj periudhe pothuajse çdo i dyti varr ishte varr i foshnjave dhe fëmijëve nën 7 vjeç.

Duhet theksuar se në vitin 1940 në Kosovë kanë qenë 5 spitale me 390 shtretër, 36 ambulanca të ndryshme shëndetësore dhe shërbimi preventiv me 5 stacione sanitaro-epidemiologjike prej të cilave kanë punuar vetëm 3.

Në të gjitha këto institucione shëndetësore kanë punuar 38 mjekë, 20 farmacistë (privat), 1 stomatolog dhe afër 85 punëtorë të tjerë të medicinës (pjesa dërrmuese e tyre kishin mësuar nga praktika – me kurse mjekësore (Dedushaj I).

Kosova doli nga Lufta e Dytë Botërore e shkatërruar tërësisht, me kushte jetese katastrofike, me shkallë të analfabetizmit rreth 98%. Edhe përkundër rrethanave të tilla, shërbimet shëndetësore nuk funksiononin pothuajse fare e nga ana tjetër sëmundjet ngjitëse bënin kërdi. Shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore ekzistonin vetëm në letër, ndërsa për shërbime tretësore as që flitej fare.

Rrjeti dhe kuadri shëndetësor

Në fillim të vitit 1946 në territorin e Kosovës kishte 5 spitale me 333 shtretër mesatarisht 0.4 shtretër për 1000 banorë. Në këto spitale, punonin 9 mjek (të huaj asnjë shqiptar), 15 farmacistë, 6 teknik mjekësorë, 11 higjienist dhe 27 punëtorë tjerë shëndetësorë me kualifikim të ultë. Mbrojtjen themelore shëndetësore e ofronin 8 stacione shëndetësore në qytete, 3 në fshatra dhe 1 dispanser antituberkular, kurse në mbrojtjen stomatologjike punonin 3 dentistë dhe 1 stomatolog.

Shihet se shërbimi i mjekësisë preventive pothuajse nuk ekzistonte më, ndërsa për kuadër në këtë lëmi as që flitet fare.

Për më shumë vizito linkun: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

Kontakti: 038 541-432  pas sinjalit shtyp 1010